E nderuara Kryesi e Shoqatës Kulturore “Kërçova” -Zvicër.
Shoqata juaj dëshmoi se ka një trup të shëndoshë aftësishë organizative dhe si parim njeh bazën e kriterit të njohjes së vlerave të mirëfillta. Ndërsa për ne edhe një herë u vërtetua se njerëzit më të rëndësishëm, të ngritur, të formuar e të kulturuar të qytetit tonë i kemi në shtetin helvetik e gjithkund në botën e zhvilluar të perëndimit.
Ju si subjekt i artit e i kulturës pritët trupën e teatrit të të rinjve kërçovarë në mënyrën më të përkryer të përzemërsisë së ngrohtë duke mos lënë mangët asgjë.
Shfaqjen e ndoqët me plot emocion, thuajse ishit në një frymë me aktorët, me vetë temën provokuese duke e përjetuar lojën skenike tërësisht. Kjo na motivoi tejmase, ndërsa fëmijët shprehën përshytpjen se në sallën e stërmbushur kanë pasur etërit e tyre, nënat, vëllezërit e motrat. Këtë ndiesi ua dhuruat atyre, neve si shoqërues e shpirti mal na u bë. Mu për këtë për aktorët e aktoret të gjithë të pranishmit u bënë njerëzit më të dashur që dinë të falin vetëm lumturi e përqafime të këndshme. Ndaj fytyrat e tyre të hareshme ende e kanë të vijëzuar gëzimin e skajshëm.
Fort e çmuara Kryesi e Shoqatës kulturore Kërçova -Zvicër.
Ju na magjepsët edhe me vetë programin tuaj artistik të këngëve e valleve dhe në sytë tanë dukeshit si të ishit një ansambël i madh kombëtar. Për këtë ju përgëzoj, por dhe ju falenderoj se mbi gjithçka që përjetuam, kjo ishte befasi më vete e një ëmbëlsie që rrjedh nga folklori ynë më i bukur.
Një mësim urtie që e nxorëm nga ju ishte edhe harmonia juaj me kryesitë e më hershme të Shoqatës duke qëndruar tok me njëri-tjetrin e duke vlerësuar e çmuar kontributin e gjithsecilit. Kjo është forca e respektit dhe e bashkimit të mendjeve. Ju lumtë dhe falemnderit edhe për këtë!
Shoqërimi juaj dhe përcjellja gjer në aeroport, përzemërsia e sponzoruesve, motivimi i dr. Florimit për të na shpjerë te projekti i ri i fushës skenike, na dha energjinë e duhur t’i përvishemi punës me më shumë përkushtim e vullnet. Edhe për këtë ju përcjellim një det falenderimesh e përtej kësaj.
E fundmja gjë që dua t’jua kumtoj është vetë jehona e trupës së teatrit të të rinjve që në këtë çast gjer në qiell brohorasin:
JU DUAM FORT!